Lëvizja Vetëvendosje organizoi të premten aksionin simbolik lidhur me koalicionin aktual, duke shprehur njëkohësisht qëndrimin se janë kundër këtij koalicioni dhe kundër negociatave me Serbinë.
Më tej zyrtarë të Vetëvendosjes duke ironizuar partitë politike që janë në koalicionin aktual dhe procesin në përgjithësi theksuan se “martesa e Pacollit me Thaçin shpreh lumturi për këta të dy, por për popullin e Kosovës kjo martesë e simbolizon kurorëzimin e hajnisë. Thaçi e Pacolli janë çift ideal për të negociuar me Serbinë”.
“... Ndërkohë që ishte i martuar me Sejdiun, Thaçi e kishte filluar këtë lidhje të fshehtë me Pacollin. Sa herë që iu desh ndihmë, Pacolli nuk hezitoi ta ndihmonte sepse Thaçi këtë të mirë ia ktheu me tenderë. Pra, kjo lidhje dikur e fshehtë tani është bërë publike dhe këtë e ka ndihmuar në forma të ndryshme, qoftë edhe me ‘sms’ ambasadori Dell i cili nuk ka lënë çështje pa i futur hundët”, thuhet në deklaratë.
Vetëvendosje shprehet kundër kësaj “martese” për shkak të programit që këta politikan paraqesin dhe për shkak të asaj që ata thonë se do ta bëjnë.
Lëvizja po ashtu shprehet kundër negociatave me Serbinë dhe rrjedhimisht është edhe kundër koalicionit PDK-AKR, pasi sipas tyre ky koalicion do t’i rifillojë këto negociata të cilat janë të padrejta dhe shumë të dëmshme për Kosovën.
“Këto negociata që po përgatiten tani janë negociata që do të përpiqen ta përfundojnë procesin e ndarjes së brendshme të Kosovës, projekt ky i cili, natyrisht, filloi me planin e Ahtisaarit që ne e patëm kundërshtuar edhe atëherë ndërsa të dyja këto parti e patën votuar në Kuvendin e Kosovës”, thuhet në deklaratë.
Arsye tjetër pse shprehën kundër këtij koalicioni thuhet të jetë vazhdimi i procesit të privatizimit edhe të këtyre ndërmarrjeve publike që kanë mbetur.
Krijoni Kontakt